Deficiti rreth 1 miliard, çmimet u rritën 9,7 për qind



Ekonomia e Kosovës vazhdon të vuajë nga normat e larta të papunësisë, prandaj kërkohet një dinamikë edhe më e madhe dhe një mënyrë për të pasur aktivitete ekonomike, e cila do të rezultonte me shumë vende të reja të punës.
Kështu është shprehur guvernatori i Bankës Qendrore, Gani Gërguri, me rastin e prezantimit të raportit të dytë të stabilitetit financiar.Sipas tij, megjithëse mbulesa e importit me eksporte po shënon trend të rritjes, deficit i llogarisë rrjedhëse vazhdon të sfidojë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të Kosovës.

Edhe Gazmend Luboteni, drejtor i Bordit të BQK-së, tha se Regjioni i Evropës juglindore dhe Kosova vazhdojnë të jenë të ndjeshme ndaj zhvillimeve në eurozonë, në aspektin e tregtisë, investimeve të huaja direkte, pjesëmarrjes së lartë të bankave të huaja dhe dërgesave të emigranteve. Produkti i Brendshëm Bruto gjatë vitit 2011 pritet të tejkalojnë shumën prej 4,7 miliardë euro. Po ashtu, sipas raportit, investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje duke arritur vlerën prej 157,6 milionë euro në krahasim me 103,0 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010. Sipas raportit, rritja e kredive të sistemit bankar, shpenzimet qeveritare, si dhe dërgesave të emigrantëve, kanë inkurajuar nivelin e përgjithshëm të konsumit në vend gjatë gjysmës së parë të vitit 2011.

Sipas raportit, dërgesat e emigrantëve për gjashtë muajt e parë të vitit 2011arritën vlerën prej 234,2 milionë euro dhe shënuan rritje prej 1,2 për qind. Edhe gjatë kësaj periudhe ekonomia e Kosovës është përballur me presione inflacioniste. Indeksi i çmimeve të konsumit për këtë periudhë, sipas raportit, ka shënuar rritje vjetore 9,7 për qind. Ndërsa, inflacioni ka shënuar normë mesatare prej 1,4 për qind. Vlera e kredive të lëshuara nga sistemi bankar i Kosovës deri në qershor arriti shumën në 1,6 miliard euro, duke përfshirë 65 % të gjithsej aseteve.

From: Kosova Sot


Copyright OEDSH